Kokainë e fshehur brenda djathit parmixhano. Kjo ishte mënyra që kishte gjetur një bandë që transportonte drogë midis Piemontes, Lombardisë, Venetos, Toskanës, Siçilisë dhe Sardenjës.
Mëngjesin e sotëm si rrjedhojë e një operacioni të ndërmarrë nga autoritetet italiane kanë rënë në pranga dhjetë persona, pjestarë të grupit kriminal. Për shtatë prej tyre është dhëna masa e sigurisë arrest me burg dhe për tre në arrest shtëpie.

Qëndra e organizatës ishte në provincën e Astit. Guardia di Finanza, e koordinuar nga Zyra e Prokurorit Publik dhe Drejtoria e Qarkut Anti-Mafia e kryeqytetit Piemontez, sekuestroi mbi 100 kilogramë drogë që kapte një vlerë prej 20 milionë eurosh.

Sipas hetuesve kreu i organizatës kriminale ishte një 37-vjeçar shqiptar i cili tregtonte drogë së bashku me bashkatdhetarë të tjerë dhe shtetas italianë.

Grupi kriminal merrte sasi të mëdha kokaine nga jashtë, veçanërisht nga Holanda, dhe arrinte në Itali me kamionë. Më pas kokaina ruhej në magazina në provincat e Astit, Aleksandrisë dhe Cuneos dhe në zona të tjera të Italisë veriore. Më pas shpërndahej në Lombardi, Veneto, Toskanë, Siçili dhe Sardenja e fshehur brenda djathit parmixhano.