Zbardhen detaje nga dosja në ngarkim të 35 vjeçarit Jetnor Zhaboli, i cili u prangos dje në Tiranë pasi mbante të mbyllura në shtëpi bashkëshorten, nënën e tij dhe vazjën e mitur.
Ky shtetas nuk i lejonte të dilnin dhe i monitoronte me kamera.
Siç thuhet në procesverbalin e mbajtur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, salla operative e Policisë së Shtetit është njoftuar për një konflikt në familje në zonën e Selitës së vjetër, pranë Xhamisë së Selitës.
Menjëherë, patrulla është nisur drejt adresës së dhënë dhe aty është konstatuar se dera e apartamentit ishte e mbyllur.
Nga brenda, nëna e Jetnor Zhabolit është identifikuar dhe i ka thënë se në apartament ndodheshin bashkë me të dhe nusja e djalit me vajzën 9 vjeçare.
Ngjarja është zbuluar më datë 25 Janar 2024 dhe personat që ndodheshin brenda në apartament i kanë komunikuar efektivëve se Jetnori i kishte mbyllur dhe nuk kishin çelës për të hapur derën. Pas situatës së krijuar, bashkëshortja e 35 vjeçarit ka deklaruar në prani të psikologes se prej një viti e gjysmë jeton si në burg.
“[…] ka deklaruar se, ka prej nje vite e gjysmë qe jeton si ne burg, dhunohet dhe nuk ka kallezuar per shkak se e do burrin e saj Jetnor Zhaboli. Ka nje vite e giysem qe jeton ne banese me kamera, pa drite, nuk del vetem, nuk ka telefon dhe e mban te izoluar ne banese”, është shprehur bashkëshortja e Jetnor Zhabolit, raporton newsbomb.al.
Më tej, ajo është shprehur se burri e merr celësin sa herë që del nga shtëpia në mëngjes dhe ajo nuk ka asnjë komunikim me botën e jashtme.
“Gjate githe kesaj kohe nuk di gje per familjen e saj pasi ja ka nderprerë komunikimet. E ka dhunuar shpesh herë por nuk ka kallezuar këte fakt pasi e do burrin e saj. E ka goditur para dy ditësh tek shtëpia e vjehrrit me shkelmë ne shpatull pasi e akuzon se ajo flet me muret. Nuk ka asnje dokument identifikimi pasi bashkeshorti ja ka marr. Ka prej nje vite e giysem që perjeton kete situatë dhe nuk mundet me.
Ka kamera te levizshme ne banese, ka bllokues valesh, alarme, ka kamera te levizshme dhe ja vendos tek komodina e dhomes kur fle gjume eshte e monitoruar, e kontrolluar do moment. Shton se banesa ne korridor ka kamera te vendosur ne korridor, kurse pjesa tjeter eshte me kamera te levizshme. Ka blerë dhe aparat qe gjurmon valet. Gjate konflikteve dhe dhunes se ushtruar ndaj saj kane qënë prezente femijet e tyre”, thuhet në procesverbalin.
Në procesverbal dhe nga këqyrja e jashtme e shtetases në fjalë, në pjesë e shpatullës është konstatuar një shenjë e madhe e mavijosur.
Pavarësisht kësaj sjellje dhe dhunës, bashkëshortja e të arrestuarit thotë se ai nuk përdor drogë apo medikamente të tjera. Në dëshmi del dhe një detaj tjetër tronditës për dy fëmijët e çiftit. Ajo është shprehur se Jetnor Zhaboli me vajzën e mitur 9 vjeçare sillet shumë mirë, kurse djalin 3 vjeçar e urren dhe e shikon me përçmim, sepse mendon se është “i racës së saj”.