Partia Demokratike Europiane ka dalë me një tjetër reagim të fortë lidhur me situatën e tensionuar politike dhe protestat që po zhvillohen në Shqipëri kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Përmes një deklarate publike, kjo forcë politike ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe ka kritikuar mungesën e dialogut nga ana e autoriteteve shqiptare.
Në reagimin e saj, Partia Demokratike Europiane vë theksin te kohëzgjatja e revoltës qytetare dhe te përgjigjja joproporcionale që po marrin protestuesit në terren, duke u ndalur specifikisht te përdorimi i forcës nga policia: “Tridhjetë e tri ditë pa përgjigje. Tridhjetë e tri ditë pa dialog. Dhe tani, shumë shpesh, me shkopinj gome në vend të dëgjimit. Kjo nuk është mënyra se si sillet një demokraci: pushteti nuk duhet të bëhet kurrë i papërgjegjshëm, i hermetizuar ndaj qytetarëve, dhimbjes dhe pyetjeve të tyre. Shqipëria meriton institucione që përgjigjen, jo institucione që godasin.”
Pavarësisht përplasjeve të dhunshme, zyrtarët europianë kanë veçuar një detaj shpresëdhënës nga tubimet në kryeqytetin shqiptar. Prania e simboleve të Bashkimit Europian krahas atyre kombëtare tregon qartë aspiratën e qytetarëve. Sipas tyre, ky detaj mbush me shpresë zemrat e tyre europiane, duke rikonfirmuar se vendi i Shqipërisë është në Europë dhe se demokracia funksionale mbetet e vetmja urë për të arritur këtë qëllim.




