Nga Fejzo Subashi
Zoti Begaj, a e keni kuptuar se jeni qytetari i parë i vendit? A e dini se presidentët vijnë nga partitë politike, por nuk duhet të mbeten peng i tyre? Nuk është e rëndësishme t’u jepni të drejtë protestuesve, qeverisë apo kërkesave të kujtdo. Më e rëndësishme është që të flisni. Prononcimi juaj mund të mos zgjidhë asgjë dhe mund të mos ndryshojë asgjë në realitetin politik, por ai u tregon shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se Shqipëria ka jo vetëm një President, por edhe institucionin e Presidentit.
Askush nuk pret që Presidenti të bëhet palë. Por të gjithë presin që Presidenti të jetë i pranishëm kur vendi përballet me tensione, përplasje dhe debate të mëdha publike. Jo për çdo problem jeni fajtor dhe jo për çdo dështim mbani përgjegjësi. Por kur institucioni që drejtoni humbet peshën, zërin dhe ndikimin e tij në jetën publike, atëherë përgjegjësia bie mbi ju. Heshtja nuk është zgjidhje dhe as justifikim.
President mund t’ju bëjnë të tjerët, por President duhet të bëheni vetë. Askush nuk mund t’ju detyrojë të mos ushtroni autoritetin moral që buron nga detyra. Askush nuk mund t’ju ndalojë të përmbushni misionin kushtetues të institucionit që përfaqësoni.
Mund të mos keni gjithë përvojën e nevojshme kur merrni detyrën, por kjo nuk mund të justifikojë mungesën e rolit publik. Çdo institucion mund të përballet me vështirësi, pengesa dhe kufizime, por asnjëra prej tyre nuk e justifikon rënien në harresë të institucionit të Presidentit.
fejzTitujt, privilegjet dhe nderimet që sjell posti mund t’i gëzoni. Por respekti që shoqëria i jep Presidentit duhet fituar dhe merituar çdo ditë.
Në fund, historia nuk do të gjykojë mënyrën se si erdhët në detyrë. Do të gjykojë mënyrën se si e ushtruat atë. Dhe rreziku është që të mbeteni në kujtesë si Presidenti që e la institucionin më të dobët sesa e gjeti.




