Një grup protestuesish kanë kaluar natën në sheshin para Kryeministrisë, pas tubimeve të zhvilluara një natë më parë kundër qeverisë.
Kjo është nata e parë që protestuesit qëndrojnë në shesh që nga nisja e revoltave, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Të mbledhur në Bulevardin mes Kryeministrisë dhe Kuvendit, protestuesit brohoritën slogane të ndryshme, mes tyre “Je i rrethuar, nuk ke ku të shpëtosh”, si edhe thirrje kundër qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Në protestë u dëgjuan gjithashtu parulla si “Rama në burg” dhe thirrje drejtuar SPAK-ut për hetimin e zyrtarëve të lartë.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim dhe se nuk do të largohen nga sheshi pa dorëheqjen e kryeministrit.
Atmosfera në qendër të Tiranës mbeti e tensionuar, ndërsa forcat e rendit monitoruan situatën gjatë gjithë natës.
Deri më tani nuk ka raportime zyrtare për incidente.




