Heqja e “Non Grata”-s për Z. Berisha dhe domethënia e saj

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Heqja e statusit “non grata” për Z. Sali Berisha nga Shtëpia e Bardhë nuk është thjesht një çështje personale për të dhe familjen e tij. Ajo ka një domethënie më të gjerë politike, institucionale dhe kombëtare.

Kam qenë dhe mbetem një kritik i vazhdueshëm i qasjeve, sjelljeve dhe veprimtarisë së Z. Berisha, si politikan, si President i Republikës, si Kryeministër, por edhe si lider i Partisë Demokratike dhe i opozitës. Megjithatë, kam ndier keqardhje që një figurë që ka mbajtur për vite me radhë postet më të larta të shtetit shqiptar, një nga aktorët dhe faktorët më të rëndësishëm të politikës shqiptare, të mos gëzonte statusin e mikut dhe të mirëpriturit në vendin më mik dhe më të rëndësishëm për Shqipërinë.

Pikërisht për këtë arsye kam mbështetur përpjekjen e tij për rivendosjen e dinjitetit. Jo thjesht për efektin personal që mund të ketë për të, por sepse kjo çështje kishte ndikim në imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në raport me aleatin tonë më të madh strategjik.

Prandaj, vendimi i sotëm duhet parë dhe vlerësuar jo vetëm si një fitore e Z. Berishës, por si një zhvillim i ri në marrëdhëniet politike dhe institucionale të vendit tonë.

Megjithatë, ky vendim nuk e shfajëson Z. Berisha nga përgjegjësitë e tij politike gjatë gjithë jetëgjatësisë së tij në politikë. Ai nuk e përjashton nga përgjegjësia për vendimmarrjet, gabimet apo pasojat e politikave që ka ndjekur si drejtues i opozitës, i qeverisë apo i shtetit shqiptar.

Po kështu, ky vendim nuk mund të minimizojë dhe as të zbehë përgjegjësinë morale dhe politike që ai mban për periudha të caktuara të qeverisjes dhe ushtrimit të pushtetit. Aq më pak, ai nuk mund të shërbejë si amnisti juridike apo si fshirje e çdo akuze, dyshimi apo procesi ligjor që lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij publike.
Për këto çështje, fjala e fundit i takon vetëm drejtësisë.

Në një shtet ligjor, askush nuk shpallet i pafajshëm apo fajtor nga vendime politike, por vetëm nga institucionet e drejtësisë dhe procesi i rregullt ligjor.
Ndaj, ndërsa mund të vlerësojmë heqjen e një mase që prekte imazhin e një ish-drejtuesi të lartë të shtetit shqiptar dhe, në një masë të caktuar, edhe imazhin e vendit, kjo nuk duhet të na pengojë të kërkojmë me të njëjtën vendosmëri transparencë, përgjegjësi dhe drejtësi për çdo veprimtari publike të kujtdo politikani, pavarësisht emrit apo funksionit që ka mbajtur.

Në fund të fundit, drejtuesit e shtetit nuk janë thjesht individë apo qytetarë të zakonshëm. Për shkak të funksioneve që kanë mbajtur, ata janë edhe institucione në vetvete, bartës të një pjese të historisë politike dhe shtetformuese të vendit. Për këtë arsye, çdo vlerësim apo gjykim ndaj tyre tejkalon dimensionin personal dhe prek imazhin, dinjitetin dhe kujtesën institucionale të kombit.

Pikërisht për këtë, demokracitë e shëndosha ndërtohen mbi respektin ndaj institucioneve, por edhe mbi përgjegjësinë e pandarë të atyre që i drejtojnë ato.
Tiranë më 11.05.2026

Share This Article