Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor dhe pezullim nga detyra për shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër, shefin e Stacionit të Policisë Velipojë dhe ndihmësspecialistin e Policimit në Zonë, pas zbulimit të një plantacioni droge.
Mësohet se një qytetar i kishte dërguar informacion në e-mail drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për kultivimin e mijëra bimëve narkotike në fshatin Reç i Ri, Velipojë, në një territor të hapur, lehtësisht të verifikueshëm në zonë fushore.
Sipas njoftimit zyrtar, në fshatin Reç i Ri, Njësia Administrative Velipojë, u konstatuan të kultivuara 7446 bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa.
Pas këtij rasti, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të:
Kryekomisar B. L., shef i Komisariatit të Policisë Shkodër
Nënkomisar Z. M. , shef i Stacionit të Policisë Velipojë
Inspektor S. K. , ndihmës/specialist SPZ, përgjegjës për zonën ku u gjetën bimët narkotike
Më tej, ka nisur hetimi disiplinor, pa pezullim nga detyra, për Nënkomisar D. N., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë dhe Inspektor E. I., me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë në Stacionin e Policisë Velipojë, të dy pjesë e grupit të kontrollit të territorit.




