Një mori banesash të braktisura në Gjirokastër bëjnë kontrastin në raport me ato çfarë janë investuar deërimë tani. Është fjala për gati 50 banesa të kategorisë së parë e të dytë, të cilat prej vitesh janë lënë në mëshirë të fatit dhe rrjedhimisht degradimi i tyre është proçes i pandalshëm.
Në morinë e banesave karateristike, që janë në zonën e mbrojtur, 2/3 e tyre janë të mbajtura, ndërsa pjesa tjetër lëngojnë.
Kjo për shumë arsye. Sipas kreut të DRKK Gjirokastër, Ardis Duka, problemet që ndeshin këto banesa janë ato të karakterit menaxherial. Pra këto lloj banesash që janë të braktisura dhe të rrënuara, nuk kane qenë në fokusin e mirëmbajtjes nga ana e Ministrisë së Kulturës, pasi ka munguar konsensusi mes pronarëve të tyre.
Ndërhyrjet në shumicën e rasteve kanë qenë të karakterit emergjent, sikurse në banesën e Angonatëve vitin e kaluar, ku DRKK investoi në pjesën ballore për të shmangur rrënimin e mëtejshëm.
Sot në Gjirokastër numërohen mbi 300 banesa që shtrihen në pjesën e mbrojtur. Ato janë të kategorizuara dhe mjaft prej tyre janë shndërruar në bujtina, duke shtuar të ardhurat për popullsinë.
Problematika e trashëgimisë së banesave që ndodhen në rrënim të plotë ka krijuar një handikap, përsa i përket ndërhyrjes së mëtejshme në konstruksionin e tyre.



