Policia e Shtetit ka njoftuar se i ka hequr licencën dy subjekteve private të sigurisë fizike, Myrto Security 1.3A dhe Major Security, pas përplasjeve të ndodhur më 30 maj në Portonovë, Zvërnec.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet po zhvillohen nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike për të zbardhur përgjegjësitë që lidhen me veprimet dhe mosveprimet gjatë tubimit të zhvilluar në zonë, si dhe për të verifikuar ligjshmërinë e veprimtarisë së kompanive private të kontraktuara për ruajtjen e pronës.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se subjekti “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat e nevojshme për kontrollin e hyrje-daljeve në objekt dhe nuk administronte listën e personave dhe mjeteve të autorizuara. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit.
Këta persona, gjatë tubimit, kanë ndërhyrë pa patur asnjë atribut ligjor dhe kanë goditur e tërhequr me forcë një shtetas pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjithashtu, kanë reaguar kundër protestuesve me gurë dhe sende të tjera nga rrethimi i pronës. Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre.
Ndërsa punonjësi i licencuar i subjektit ShPSF “Major Security”, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët u proceduan penalisht, dhe nga verifikimet rezultoi se dy të proceduarit nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga subjekti SHPSF “Major Security”, kryen veprime arbitrare duke shpërdoruar detyrën dhe në tejkalim të kompetencave, pasi goditi me grusht një prej protestuesve, e morën me forcë dhe e çuan në brendësi të rrethimit duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Në përfundim të procedurave administrative dhe bazuar në shkeljet e konstatuara, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur heqjen e licencave për të dy subjektet, në zbatim të ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”.
Policia e Shtetit njofton se hetimet administrative dhe penale për ngjarjen vijojnë.




