Dy shqiptarët e arrestuar dy ditë më parë nga policia greke pas plagosjes së një shtetasi pakistanez në Athinë jane Jerasimo Korkuti, 31 vjeç nga Saranda, dhe Andi Beqiri, 27 vjeç nga Konispoli.
Së bashku me ta është arrestuar edhe një shtetas grek 30 vjeç, me precedentë të rëndë penalë, i cili dyshohet si autori kryesor i plagosjes së pakistanezit në dyqanin e tij në zonën e Patisias.
Sipas mediave greke, autori i dyshuar ka hyrë në ambientet e biznesit i maskuar dhe i shoqëruar nga një prej shqiptarëve. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me një automjet tip “BMË”, duke u përfshirë në një ndjekje episodike me policinë në rrugët e Athinës, gjatë së cilës mjeti është përplasur me disa automjete të tjera para se të ndalohej.
Një person i katërt, i dyshuar gjithashtu si shqiptar, ka arritur të largohet dhe vijon të kërkohet nga autoritetet greke.
Historia e Andi Beqirit
Emri i Andi Beqirit nuk është i panjohur për policinë greke. Në shtator të vitit 2022, ai u arrestua në zonën e Haidarit në Athinë, pasi në automjetin ku udhëtonte u gjetën dy armë kallashnikov me dy krehëra dhe rreth 90 fishekë.
Në makinë u sekuestruan edhe dy bileta që lidhnin udhëtimin me qytetin kufitar të Igumenicës. Bashkë me Beqirin u arrestua edhe 41-vjeçari Viktor Cala, i cili rezultonte person në kërkim në Greqi.
Ky i fundit dyshohej si autor i vrasjes së një romi dhe tentativës së vrasjes së një shqiptari. Sipas hetimeve të atëhershme, vrasja dyshohej se ishte porositur nga Klod Cara alias Klodian Lekocaj, 49 vjeç nga Berati, i burgosur prej vitesh në Greqi dhe i akuzuar si organizator i disa krimeve të rënda, përfshirë vrasje.
Dyshimet për larje hesapesh
Lidhur me plagosjen e pakistanezit në Athinë, policia greke dyshon se ngjarja lidhet me larje hesapesh.
Sipas hetimeve paraprake, autori kryesor, shtetasi grek 30-vjeçar, ka qenë më parë i përfshirë në një plagosje me thikë ndaj një biznesmeni, si dhe në një vrasje të lidhur me përplasjet mes huliganëve të tifozërive greke.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personit të katërt të arratisur.




