Falsifikuan vendimet gjyqësore, dërgohen në gjyq avokatja dhe përkthyesja

Jugulajm.net
3 Min Read

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar në gjyq dy shtetase, një avokate dhe një përkthyese, të akuzuara për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Sipas hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.857 të vitit 2025, më 29 maj 2025 në Zyrën e Gjendjes Civile pranë Bashkisë Fier mbërriti me anë të shërbimit postar një vendim i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i datës 12 shkurt 2025. Dokumenti kishte si kërkues shtetasin F.H. dhe lidhej me njohjen dhe dhënien fuqi ligjore në Shqipëri të një vendimi të një gjykate në Greqi.

Pas verifikimeve të kryera nga organi i akuzës dhe veprimeve hetimore të zhvilluara më pas, rezultoi se vendimi i paraqitur ishte i falsifikuar. Hetimet zbuluan se dokumentet e dërguara me postë ishin nisur nga shtetaset A.K. dhe A.M.

Sipas Prokurorisë, dy të pandehurat jo vetëm kanë dërguar dokumentacionin pranë Gjendjes Civile, por janë paraqitur disa herë në këtë institucion për t’u interesuar mbi procedurat e regjistrimit të tyre. Në dosjen hetimore thuhet se A.M., e cila ushtron profesionin e avokates, ka tentuar të ndikojë në regjistrimin e dokumenteve duke përdorur autoritetin e saj si njohëse e ligjeve.

Nga administrimi i provave, Prokuroria pretendon se A.K., në bashkëpunim me avokaten A.M., ka falsifikuar si vendimin e gjykatës greke ashtu edhe vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Sipas akuzës, dokumentet janë përdorur për të realizuar shkurorëzimin e shtetasit F.H. nëpërmjet një vendimi të rremë të një gjykate të huaj.

Hetimet tregojnë se përveç falsifikimit të vendimit të gjykatës greke, është sajuar edhe njohja e tij në Shqipëri përmes një vendimi të falsifikuar të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Sipas Prokurorisë, qëllimi final ishte që A.K. të mund të lidhte martesë ligjore me shtetasin F.H., me të cilin ndodhej në një lidhje intime.

Share This Article