Një 19-vjeçar është arrestuar nga Policia, pasi plagosi aksidentalisht me armë zjarri një 17-vjeçar gjatë orëve të para të mëngjesit në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:40, në rrugën “Berit Beker”, ku sipas hetimeve paraprake, i riu po i tregonte shokut të tij një armë zjarri pistoletë, duke menduar se ajo nuk kishte fishek në fole.
Gjatë manipulimit, arma është shkrepur aksidentalisht, duke plagosur 17-vjeçarin.
I mituri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Policia arrestoi në flagrancë shtetasin R. S., 19 vjeç, për plagosje të rëndë nga pakujdesia, mbajtje pa leje të armës dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Po ashtu, u vunë në pranga edhe dy të rinj të tjerë, A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, të dyshuar për veprime që pengojnë hetimet.
Gjatë ndërhyrjes, uniformat blu sekuestruan edhe armën e zjarrit që posedonte 19-vjeçari.




