Nga Alban Tepelena
Nëse dikush do të kërkonte një skenar për një film mbi degradimin institucional, mjafton të shikojë atë që ndodh prej vitesh në AKU Tiranë. Një institucion jetik për sigurinë ushqimore është kthyer në një “çiflig” të vogël të një dinastie të pandryshueshme, ku rregullat nuk i vendos profesionalizmi, por pazari, lidhjet dhe interesat.
Paradoksi më i madh është se në terren shpesh nuk shkojnë ata që dinë të kontrollojnë, por ata që “dinë të merren vesh”. Sa më i kualifikuar dhe me personalitet profesional të jetë një specialist, aq më pak aktivizohet në kontrolle… Ndërsa, në subjektet më sensitive, aty ku kërkohet eksperiencë dhe integritet, dërgohen njerëz që nuk arrijnë dot standardin profesional, por arrijnë “marrëveshjen” më të leverdisshme. Në vend qe te ndihmohen “këta pseudo inspektore”, te arsimohen e te marrin diplomat, t’iu krijoni kushte ti ndihmoni të mbarojnë shkollën, ashtu sic mund ta mbarojnë e sic e dime të gjithë, se ata paradite “shkojnë në unirsitete” dhe sa mbarojnë, me vrap nëpër inspektimin e radhës. Jo vetëm kaq, jo vetem qe i ngarkojnë me ngarkese të madhe, por dhe peshë përgjegjësie kolosale për sigurinë ushqimore…
Kjo nuk është thjesht një lajm, perceptim, apo një konstatim gazetaresk, por referuar veprimeve praktike, një situatë që rëndon sigurinë ushqimore dhe u jep shans dhe mundësi abuzivizmit. Mjafton të kontrollohen statistikat e grupeve të kontrollit: kush del në terren, cilat subjekte kontrollon, nga kush kontrollohen, sa ndryshim ka kontrolli nga kontrolli në të njëjtin subjekt, jo vetëm nga cilësia por dhe nga trupa inspektuese, apo sa shpesh përsëriten të njëjtët emra në të njëjtën subjekt apo më shumë. Me këtë fenomen dhe praktikë, nuk do të habitej vetëm qytetari apo konsumatori, por ndoshta edhe vetë drejtuesit më të lartë të institucionit.
Ironia më e madhe është se në krye të AKU-së së Shqipërisë, më në fund, erdhi një drejtuese me profil profesional juridik dhe seriozitet institucional, që tregon rolin dhe peshën që ka ky institucion në sigurinë ushqimore. Ndërkohë, në AKU Tiranë, vazhdon të mbijetojë e njëjta situatë, mekanizmi i vjetër prej vitesh, ajo e drejtuesve të komanduar e te rekomanduar, te cilet ndryshojnë pa mbushur dy vite, ndersa “mjeshtrit” e skemave dhe pazareve, mbeten aty, të paprekshëm. Ata nuk ndryshojnë as grup, as pozicion, as mënyrë funksionimi. Janë po ata emra që qarkullojnë prej vitesh, që nga kohët e koalicioneve të vjetra politike.
Ndërkohë, specialistët realë, njerëzit me përvojë, me kualifikim dhe integritet, denigrohen dhe largohen me dhunë, apo me “detyrimin” e dorëheqjes, ose margjinalizohen… Por jo se nuk jua njohin vlerat, meritat dhe performacën profesionale, pasi sa herë ka probleme nga një denoncim serioz, apo një situatë emergjente, te cilat per ironi te fatit nuk jane te pakta, janë pikërisht ata që thirren me urgjencë, madje edhe nga “leja” apo “spitali”, sepse “të preferuarit” nuk e përballojnë dot përgjegjësinë profesionale, pasi këtu nuk hynë instrumenti i pazarit, por kriteri i meritës dhe profesionistit.
Dhe kjo verifikohet shumë lehtë. Mjafton të kontrollohen praktikat e punës, autorizimet, mënyra e ndarjes së kontrolleve dhe funksionimi i përditshëm i institucionit. Mjafton të shkosh një mëngjes në zyrat e AKU-në Tiranë, për të kuptuar se si ndahen subjektet dhe kush i merr gjithmonë kontrollet më “interesante”. Mos u çudisni se dhe kontrollet e kryera nga KLSH-ja që kane një drejtim kryesor të objektit të kontrollit atë të performancës, nuk e kane marrë mundimin ta bëjne. As auditet e brendshme apo të tjera, me gjithë kritikat dhe vëmendjen e Qeverisë, për problemet me subjektet dhe sigurinë ushqimre, asnjëherë nuk i kane kontrolluar “te fortet” e AKU Tirane. Nuk kane denjuar ti hyjnë kësaj analize, që është thelbësore dhe e rëndësishme për të realizuar objektivat e Qeverisë aktuale në fushën e sigurisë ushqimore.
Në një kohë kur Shqipëria pretendon standarde europiane dhe siguria ushqimore duhet të ishte prioritet kombëtar në rrugën drejt BE-së, ajo që shohim në terren nuk është progres. Është regres. Dhe ndoshta një nga regreset më të rrezikshme, sepse lidhet drejtpërdrejt me ushqimin, shëndetin dhe besimin e qytetarëve tek shteti.




