Murtaja e bagëtive, zgjerohet harta, 10 mijë teste për fermat në gjithë vendin

Jugulajm.net
2 Min Read

Murtaja e bagëtive është rikthyer, ndërkohë që numri i vatrave në të gjithë vendin ka shkuar në 3. Konkretisht në Bulqizë, Peqin dhe Shkodër.

Sakaq, tregjet e kafshëve të imta vijojnë të jenë të mbyllura si masë parandaluese ndaj sëmundjes së murtajës. Gjithashtu, një plan i monitorimit që prek të gjitha fermat blegtoriale është hartuar nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla dhe trupa e vetrinerëve të AKVMB-së.

Në kuadër të këtij plani janë vënë në dispozicion 10 mijë teste serologjike në 708 ferma të bagëtive të imta. Po ashtu, ministri ka firmosur edhe urdhrin për ndalimin e lëvizjes së kafshëve në zonat e prekura nga murtaja. Ai kujtoi se murtaja nuk është më një sëmundje e re; për vitin 2025, Ministria e Bujqësisë kompesoi financiarisht fermerët për 2,200 krerë dele/dhi të asgjesuara.

“Jemi në Vlorë dhe po monitorojmë situatën bashkë me AKVMB-në për të marrë të gjitha analizat e nevojshme. Me drejtorinë e ISUV, në mënyrë shumë të shpejtë po punojmë për këto analiza. Kemi nxjerrë një urdhër për moslëvizjen e kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen në çdo vatër që është ngritur. Bashkë me ekipin e veterinarisë po bëjmë të mundur mbylljen e vatrave. Një situatë të tillë e patëm edhe vitin e kaluar, ku iu përgjigjem me dëmshpërblime, duke mbuluar financiarisht 2,200 krerët e asgjesuar. Por duhet të nxitojmë për një izolim sa më të shpejtë të situatës”, u shpreh ministri.

Policia e Shtetit është gjithashtu pjesë e këtij plani, e cila së bashku me veterinerët ka shtuar vigjilencën edhe në pikat kufitare, për të monitoruar lëvizjen e kafshëve të importuara.

Ende nuk është përcaktuar origjina e sëmundjes, ndërsa vatrat në vend po vijojnë të zgjerohen.

Muajin e kaluar u asgjësuan 220 bagëti të imëta në Bulqizë, pasi u prekën nga ky virus, ndërsa rasti tjetër është në Peqin, ku kanë ngordhur 97 qengja.

Share This Article