Zgjedhjet në Kosovë, sot fillon votimi me postë, mbi 105 mijë votues të regjistruar

Jugulajm.net
1 Min Read

Sot ka filluar votimi me postë për diasporën kosovare që janë regjistruar për zgjedhjet e 7 qershorit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ky proces prek rreth 105 mijë votues nga diaspora, të cilët mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës deri më 6 qershor. Ndërkohë, KQZ-ja ka konfirmuar se tashmë janë përgatitur dhe nisur të gjitha pakot me fletëvotime nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

“Para ditës së mërkurë, KQZ ka përgatitur 75 mijë pako individuale dhe ato pritet që të fillojnë të shpërndahen nga data 21 maj, ndërsa rreth 30 mijë të tjera do të dërgohen në aeroport gjatë së enjtes dhe nga aty për t’u nisur jashtë vendit”, thuhej në njoftim.

KQZ ka bërë të ditur se çdo dërgesë është e pajisur me numër unik gjurmimi, i cili u është dërguar votuesve të regjistruar përmes njoftimeve elektronike, në mënyrë që ata të mund të përcjellin vendndodhjen e pakos së tyre. Institucioni u ka bërë thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për kthimin e zarfeve me votë, për të shmangur vonesat eventuale në mbërritjen e tyre.

Share This Article