Një 29-vjeçar shqiptar, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë dhe i kërkuar nga autoritetet franceze për trafik droge, është arrestuar në Barcelona nga agjentët e Gardës Civile spanjolle.
Sipas mediave spanjolle, i riu u kap në zonën e Passeig de Gràcia, ndërsa në momentin e arrestimit mbante me vete një pistoletë tip “Makarov” të mbushur me shtatë fishekë, e konsideruar “gati për përdorim”, si edhe dokumente false identifikimi.
Autoritetet bëjnë me dije se ndaj 29-vjeçarit ishin lëshuar dy urdhër-arreste europiane nga Franca për trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale. Po ashtu, ai kërkohej edhe nga një gjykatë në Barcelonë për vjedhje automjetesh.
Pas një operacioni ndjekjeje, agjentët e Gardës Civile arritën ta neutralizonin dhe arrestonin të dyshuarin, duke i sekuestruar armën me origjinë sovjetike, e cila përdor municion 9×18 mm.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën edhe dokumente false me shtetësi greke, që dyshohet se përdoreshin për identitete të rreme, si dhe 1.470 euro cash.
Pas arrestimit, shqiptari u paraqit para Audiencës Kombëtare përmes lidhjes telematike nga Gjykata e Barcelonës.




