Drafti/ Shoferët që kapen të dehur, u hiqet patenta përgjithmonë

Jugulajm.net
2 Min Read

Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën nga një shofer i dehur dhe që lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një paketë ndryshimesh të ashpra në Kodin Rrugor. Amendamentet janë propozuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputeti Erion Braçe, me fokus kryesor rritjen e sigurisë rrugore dhe ndëshkimin më të fortë të shkelësve, veçanërisht drejtuesve të rinj.

Sipas draftit, kush kapet duke drejtuar mjetin pa patentë nuk do të mund të pajiset me leje drejtimi për një vit, përveç përgjegjësive penale që parashikon ligji aktual. Për të miturit që kapen në timon pa e marrë kurrë patentën, afati shtyhet me dy vite nga momenti kur lind e drejta për ta marrë atë, duke bërë që patenta të merret jo në moshën 18-vjeçare, por në 20 vjeç. Po ashtu, drejtuesit që janë në vitin e parë të patentës do të duhet të respektojnë tolerancë zero ndaj alkoolit, ndërsa nuk do të lejohen të qarkullojnë nga ora 24:00 deri në 06:00 pa praninë e një të rrituri që ka patentë prej të paktën tre vitesh.

Drafti parashikon gjithashtu kufizime të reja për shpejtësinë, ku shoferët e rinj nuk mund të lëvizin me më shumë se 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara. Shkeljet do të ndëshkohen me gjoba nga 5 deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Një tjetër masë e fortë lidhet me drejtimin e automjetit në gjendje të dehur: çdo shofer që kapet me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe rezulton përsëritës i kësaj shkeljeje, do të humbasë patentën përgjithmonë. Ndërkohë, ndalohet edhe përdorimi i celularit nga drejtuesit e biçikletave dhe motorëve elektrikë.

Share This Article