Kryeministri Rama: Shqipëria do të furnizohet me gaz amerikan për 20 vjet

Jugulajm.net
2 Min Read

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë dhe pavarësisë energjetike, përmes një marrëveshjeje strategjike bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në shënimet e tij të javë në Podkastin “Flasim”, kreu i qeverise u shpreh se marrëveshja parashikon zhvillimin e Qendra Energjetike e Vlorës dhe furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror të lëngshëm (LNG) për një periudhë 20-vjeçare.
Rama theksoi se projekti lidhet me transformimin e TEC-it të Vlorës, i cili fillimisht ishte konceptuar për të punuar me naftë, por që do të përshtatet për përdorimin e gazit natyror, duke u kthyer në një burim të qëndrueshëm të prodhimit të energjisë elektrike.

“Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.

Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme.

Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes Tap-it, sepse pjesë e kësaj marrëveshje është dhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin ku ndodhet dhe gazsjellësi Transadriatik”, tha Rama.

Share This Article