Sherr adoleshentësh, 18 vjeçari godet me thikë 15-vjeçarin

Jugulajm.net
1 Min Read

Një 15-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë mbrëmjen e së mërkurës, pas një konflikti të ndodhur për motive të dobëta me një adoleshent në fshatin Bulgarec të Korçës. Sipas burimeve është goditur nga një 18-vjeçar dhe ka marrë tre plagë, dy në kurriz dhe një në vesh.

Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Korçës.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Deri më tani, janë shoqëruar dy persona në komisariat dhe po kryhen veprimet procedurale.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se dy të rinjtë janë konfliktuar fillimisht ditën e martë, ndërsa po luanin me letra në një lokal në fshat, ku debati ka mbetur verbal.

Mbrëmjen e së mërkurës, 18-vjeçari dyshohet se i ka kërkuar 15-vjeçarit të dalë jashtë lokalit për t’u sqaruar, ku situata ka agravuar. Sipas hetimeve paraprake, 18-vjeçari ka nxjerrë një mjet prerës dhe e ka goditur disa herë të miturin.

Ndërhyrja e personave të pranishëm ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e motivit të saj.

Share This Article