Një konflikt i hershëm përfundoi me vrasjen e 30-vjeçarit Endri Goxhaj në një lokal në Memaliaj. Autor është Donaldo Nela, 29 vjeç dhe i vëllai Marjaldo Nela, të dy të shpallur në kërkim, ndërsa është plagosur dhe vëllai tjetër Dali Nela, 25 vjeç, i cili raportohet se ka marrë 4 plumba, 2 në mushkëri, një në bark dhe një në shpretkë. Deri më tani janë shoqëruar në polici 6 persona.
Burimet bëjnë me dije se konfliktet midis grupeve kanë qenë të hershme, dyshohet për lëndë narkotike. I dyshuari Donaldo Nela është person me precedent penal, i përfshirë në trafik droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Grupi që ai bënte pjesë është goditur në 2018-ën nga Policia e Sarandës.
Ai po ashtu, rezulton i hetuar edhe si autor i një grabitje të një pike të këmbimit valutor në Tepelenë. I plagosuri Dali Nela, sipas burimeve, është dhëndër te fisi Kalemi. Këta të fundit njihen për përplasjet e forta me fise të tjera për pazare droge, ndërsa dyshohet se fshihen pas disa vrasjeve, mes tyre dhe ajo e Aleksandër Sadikajt.
Për ngjarjen, janë marrë në pyetje disa persona, dëshmitarë dhe familjarë. Të gjithë kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për konfliktin. Në pyetje pritet të merret dhe Dali Nela.




