Procesi i parë zgjedhor në Shqipëri zgjati disa muaj dhe më 21 prill të vitit 1921 u hapën punimet e Këshillit Kombëtar, parlamentit të parë në Shqipëri, me deputetë të zgjedhur nga populli.
Seanca e parë parlamentare, 105 vjet më parë, ishte në një ditë të enjteje. Punimet nisen në orën 10:00 dhe nga 78 deputetë të zgjedhur, morën pjesë 56 që përbënin shumicën.
Që prej kësaj periudhe parlamenti filloi të shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli me detyra të përcaktuara qartë në statutin e kohës. Këshilli Kombëtar mori emrin Parlament dhe si organi i vetëm legjislativ përbëhej vetëm nga një dhomë deputetësh. Kryetari i tij u zgjodh me votim të fshehtë, Pandeli Evangjeli dhe në vitin 1922 u zgjodh Eshref Frashëri.
Godina në të cilën u mblodh parlamenti, në vitet 1928-1939 u bë “Pallati Mbretëror” dhe sot është selia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Përveç një numri të madh dokumentesh me rëndësi të posaçme për historinë e vendit, në Bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror gjendet një botim me fjalimet e deputetëve që folën në këtë seancë të parë historike që themeloi parlamentarizmin në Shqipëri.





