Ky është i vetmi kolektor i ujërave të larta që ka territori i Bashkisë së Gjirokastrës dhe ndër më të rrallët në vend. Ndodhet në territorin e Njësisë Administrative Antigone e konkretisht në fshatin “Asim Zeneli”. Sikurse po shikohet, është në gjendjen e vet më të mjerueshme. Kjo si pasojë e motit të keq i muajve të vjeshtës dhe dimrit që sapo lamë pas. Dëmtimi i masave betonuese anash tij, erdhi si pasojë e mbingarkesës së volumit të prurjeve nga lartësitë. Ndërsa derdhja dëmtoi mjaft banesa në zonën fushore e kodrinore të këtij fshati.
Veç kësaj, shkaktoi dëme të jashtëzakonshme në bujqësi, blegtori e të mbjella. Kanali me gjatësi 2.6 km, është ndërtuar nga qeveria komuniste në vitet ’70 me synim kullimin dhe mbledhjen e ujërave që zbresin nga fshatrat Saraqinisht, Tranoshisht dhe Krinë dhe në terma teknikë quhet K-6. Për vite me radhë ka shërbyer në përmirësimin e cilësisë së tokave bujqësore duke i bërë rentabël për kohën. Dëmtimi i këtij kanali kohët e fundit, ka shfaqur probleme serioze në transportin publik pasi sikurse po shikohet, në një segment nën të, rruga është e gërryer cka rrezikon dhe qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.
Në muajin janar të këtij viti, dalja nga shtrati e këtij kanali vuri përpara me dhjetëra hektarë tokë bujqësore që ndodhen përbri shtratit të lumit Drino dhe nuk ka kursyer as banesat. Banorët që u prekën nga moti i keq, prurjet nga shirat e rrëmbyeshëm injektuan tejfryurjen e këtij kanali, apelojnë tek Jugulajm.net marrjen e masave nga ana e shtetit pasi nëse do të ripërsëritet e njëjta situatë sikurse këtë vit, atëherë katastrofa do të jetë shumëplanëshe, qoftë në rrezikun e jetëve të njerëzve, gjësë së gjallë, por dhe në dëmtimin e argjinaturës dhe shkatërrimin e tokave bujqësore që janë ndër më pjelloret në vend.
Për gati 55 vitesh qysh prej ndërtimit të tij në këtë kanal nuk është ndërhyrë plotësisht veçse përmes riparimeve periferike dhe asnjëherë nuk është trajtuar me seriozitet.
Nga interesimi ynë pranë Bashkisë së Gjirokastrës, mësohet se një raport të detajuar me të gjithë problemet teknike të këtij kanali, i është çuar Ministrisë së Bujqësisë. Madje dhe projekti i ndërhyrjes rehabilituese i këtij kanali i përpiluar nga specialistët e Bashkisë së Gjirokastrës i është dërguar këtij digasteri. Derimë tani topi ngelet tek kjo ministri për të investuar në rigjenerimin e këtij kanali të rrallë në llojin e vet në vend, pasi Bashkia e Gjirokastrës e ka të pamundur gjetjen e fondeve investuese që kapërcejnë mundësitë financiare të saj.



