EMRAT-FOTOT/ 3 policë shpëtojnë 59-vjeçaren, tentoi të vetëmbytej në lumë

Jugulajm.net
2 Min Read

Një tragjedi e mundshme u shmang mëngjesin e 22 marsit në Shkodër, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe guximshme të tre efektivëve të Policisë së Shtetit: Erxhon Semko, Kristjan Loci dhe Françesko Hoxha. Ata hodhën pa hezitim në ujërat e rrëmbyeshëm të lumit Buna për të shpëtuar një 59-vjeçare që kishte tentuar t’i jepte fund jetës.

Në një rrëfim televiziv policët treguan momentet dramatike.

Kristjan Loci tha se njoftimi për një person që po mbytej i gjeti gjatë patrullës. “Ishim pak larg, por reagimi ishte i menjëhershëm. Rrjedha e Bunës është shumë e fortë dhe çdo ndërhyrje rrezikonte jetën. Pasi e nxorëm nga uji, i dhamë ndihmën e parë. Në fillim kishte puls, por nuk reagonte. Pas ndërhyrjes filloi të përmendej”, tregoi ai.

Erxhon Semko shtoi se nuk hezitoi për t’u hedhur në ujërat e lumit për ta shpëtuar zonjën. “Sapo e pashë, u hodha menjëherë në ujë, e tërhoqa dhe e nxora jashtë. Kur iu afrova, fliste, por ishte në gjendje shoku dhe nuk kuptohej çfarë thoshte”, tha ai.

Françesko Hoxha tha se ndihmoi kolegët në breg dhe më pas mori vesh nga mjekët se gruaja ishte jashtë rrezikut për jetën. “Pasi e nxorën në breg dhe i dhamë ndihmën e parë, u transportua në spital. Stafi mjekësor konfirmoi se ishte jashtë rrezikut për jetën”, u shpreh ai.

Ngjarja ka marrë vëmendje të gjerë publike, ndërsa Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vlerësoi efektivët si shembull guximi dhe profesionalizmi.

Share This Article