Protesta e djeshme e opozitës, 15 persona të arrestuar

Jugulajm.net
1 Min Read

15 persona u arrestuan nga Policia e Tiranës për dyshimet se hodhën molotovë dhe kundërshtuan punonjësit e policisë në protestën e opozitës, të mbajtur mbrëmjen e 22 marsit. Nëntë të tjerë u referuan në gjendje të lirë, mes të cilëve pesë të mitur.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia bëri të ditur se kishte referuar në prokurori edhe deputetin Klevis Balliu, për veprat penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit në krim”.

Nga përplasja me protestuesit, 6 punonjës policie mbetën të dëmtuar dhe morën mjekim në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Blutë e kryeqytetit thonë se nga hedhja e molotovëve janë shkaktuar dëmtime në godinat e institucioneve të ndryshme, janë djegur kosha mbeturinash, si dhe është djegur një automjet policie.

Përplasja e protestuesve me policinë filloi përballë Kryeministrisë dhe vijoi në zona të ndryshme të kryeqytetit, për t’u përmbyllur në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit.

Share This Article