Bashkia shpall një procedurë 200 milionë lekë dhe një tjetër 500 milionë lekë për rikualifikim në Gjashtë e Metoq, me të njëjtin objekt punimesh dhe me vetëm dy ditë diferencë në zhvillim…
Kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi, po përdor një marifet për të vjedhur me qetësi dhe pa u ekspozuar, duke bashkëpunuar me vartësit e financës, me anëtarët e komisionit të tenderëve në Bashki dhe me firmat private.
Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 17 mars 2026, Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, ka shpallur dy tenderë, me objekt të njëjtë investimesh, “Rikualifikim rrugësh dhe sheshesh”, në disa zona të kësaj bashkie.
Në tenderin e parë, të firmosur në datën 6 mars 2026, me fond limit rreth 200 milionë lekë me TVSH, kryebashkiaku Oltion Çaçi ka urdhëruar të bëhen rikualifikime të rrugëve dhe shesheve në qendrat e banuara Gjashtë, Metoq, Berdenesh, Çukë e Manastir.
Por edhe në tenderin e firmosur më 10 mars 2026, me fond limit rreth 500 milionë lekë me TVSH, kryebashkiaku Oltion Çaçi ka urdhëruar të bëhet rikualifikim i rrugëve dhe shesheve në qendrat e banuara Gjashtë e Metoq.

Sipas njoftimeve, për të njëjtat lloje e volume punimesh në qendrat e banuara Gjashtë e Metoq, “Beu” i Sarandës, Oltion Çaçi, ka sajuar dy tenderë paralelë. Siç kuptohet, ai që do të futet në xhepin e tij është ai me vlerë 500 milionë lekë.
Ndërsa tenderi me vlerë 200 milionë lekë do të shpenzohet realisht për të hedhur disa lopata me asfalt në rrugët dhe sheshet e qendrave të banimit Metoq, Gjashtë, Berdenesh, Çukë e Manastir të Sarandës.
Tenderin e parë kryebashkiaku Oltion Çaçi do ta zhvillojë në datën 24 mars, ndërsa tenderin e dytë do ta zhvillojë në datën 26 mars. Por afati i kryerjes së punimeve do të jetë 8 muaj për të dy kontratat e tenderimit./Pamfleti




