Policia ka zbardhur shpërthimin me lëndë plasëse që ndodhi në orët e para të mëngjesit të 10 marsit në rrugën “Vasil Ndoçka”, Tiranë, ku u dëmtua një automjet në pronësi të shtetasit O. K. Nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Në pranga kanë rënë 7 persona të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje, të cilët sipas policisë vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal dhe kanë precedentë të mëparshëm penalë. Tre persona të tjerë u ndaluan për përkrahje të autorit, ndërsa si porositës i vendosjes së eksplozivit dyshohet një 33-vjeçar që aktualisht ndodhet në burgun e Fushë-Krujës.
Sipas hetimeve, autori i dyshuar ka vendosur dhe aktivizuar lëndën plasëse në automjet, ndërsa është ndihmuar nga bashkëpunëtorët për sigurimin e informacionit mbi vendndodhjen e mjetit, lëndën eksplozive, si dhe për transportin dhe strehimin pas ngjarjes.
Gjatë operacionit policia sekuestroi disa prova materiale, mes tyre biçikletën e përdorur gjatë krimit, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit, rroba dhe telefona celularë.
Hetimet vijojnë nga Prokuroria e Tiranës për dokumentimin e plotë të ngjarjes.




