Nafta pritet të shtrenjtohet ndjeshëm sapo të hapen tregjet, pas sulmeve ndaj Iranit dhe bllokimit faktik të ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të furnizimit global.
Sipas të dhënave nga brokeri IG, nafta amerikane mund të rritet me rreth 9% dhe të kalojë 73 dollarë për fuçi, nga 67 dollarë që ishte të premten. Do të ishte niveli më i lartë që nga qershori 2025, kur SHBA goditi objektet bërthamore të Iranit.
Të shtunën, Garda Revolucionare e Iranit u tha anijeve se kalimi në ngushticën e Hormuzit “nuk lejohej”, duke ndalur lëvizjen në një pikë kyçe ku kalon rreth një e pesta e konsumit global të naftës. Të dielën u sulmua një cisternë dhe të paktën 150 anije me naftë bruto, gaz të lëngshëm dhe produkte të tjera energjie hodhën spirancën në ujërat e Gjirit, përtej ngushticës.
Teherani prej kohësh ka paralajmëruar se mund ta mbyllë këtë korridor si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ushtarake. Analistja Tamsin Hunt nga S-RM tha se një mbyllje e plotë do të ishte shkatërruese edhe për vetë ekonominë e Iranit.
Edhe pse tetë vende të Opec+ ranë dakord të rrisin prodhimin me 206 mijë fuçi në ditë nga prilli, më shumë se sa ishte planifikuar, tregjet mbeten nervoze. Analistët e Barclays paralajmërojnë se çmimi mund të shkojë në 80 dollarë për fuçi nëse furnizimi dëmtohet seriozisht. Ndërsa sipas Royal Bank of Canada, ekziston rreziku që nafta të kalojë edhe 100 dollarë.
Rritja e çmimit me shumicë pritet të reflektohet shpejt te pompat. Në Britani, benzina kushton mesatarisht 132.9 peni për litër dhe nafta 142.4 peni, por paralajmërohet se situata me Iranin, bashkë me rikthimin e një takse prej 5 penësh për litër, mund t’i shtyjë çmimet edhe më lart.
Bursat po përgatiten për rënie. Në Londër, indeksi FTSE 100 pritet të bjerë rreth 0.5%, ndërsa investitorët po drejtohen drejt aseteve të sigurta. Ari është rritur me 2.25% dhe po afrohet me 5,400 dollarë për ons, ndërsa argjendi është në rritje me 3.2%.
Ndërkohë, kompania portuale DP World ka pezulluar operacionet në portin Jebel Ali në Dubai, ndërsa Mediterranean Shipping Company ka ndalur rezervimet për dërgesa drejt Lindjes së Mesme deri në një njoftim të dytë. Edhe kostoja e sigurimit të anijeve në rajon është rritur ndjeshëm.
Në Gjirin Persik, shumica e bursave ranë të dielën. Tregu i Arabisë Saudite humbi 2.5%, ndërsa Kuvajti pezulloi tregtimin deri në një njoftim të ri, për shkak të situatës së jashtëzakonshme. Situata mbetet e paqëndrueshme dhe çdo zhvillim i ri mund të godasë edhe më fort tregjet globale./The Guardian




