Ministrja e Brendshme, Albania Koçiu, ka mohuar raportet se Garda e Republikës nuk ka zbatuar vendimin e KLP për shtimin e masave për sigurinë e ish-kreut të SPAK Altin Dumani. Sipas Koçiut, Garda e ka zbatuar vendimin e KLP duke shtuar 2 truproja për Dumanin.
“KLP ka marrë vendim dhe në momentin që merr vendim ka edhe një anëtar përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme në nivelin e zv.ministrit. Jemi vënë në dijeni, kemi qenë pjesë e vendimmarrjes. Nga ana tjetër, Garda e Republikës ka zbatuar këtë vendim duke shtuar në organikën e saj edhe dy truproja të tjera për Dumanin në nivelin e prokurorit të SPAK. Garda e Republikës ka marrë të gjitha masat dhe ka miratuar shtimin e dy punonjësve”, tha ministrja.
Kërkesa për shtimin e sigurisë, e paraqitur nga kreu aktual i SPAK, Klodian Braho, u pranua nga Komisioni, pasi ishte e mbështetur në analizën përkatëse të riskut.
Megjithatë, sipas burimeve nga SPAK, në terren nuk ka ende një ndryshim konkret në numrin e efektivëve që sigurojnë mbrojtjen e Altin Dumanit.




