Një nxënës i një shkolle 9-vjeçare ka mbetur i plagosur pranë ambientit të shkollës së tij.
Sipas informacioneve paraprake, incidenti ka ndodhur në afërsi të godinës së ish-shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” në Kukës, e cila aktualisht është në proces rikonstruksioni nga një firmë ndërtimi.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur i mituri po përpiqej të merrte topin pranë kantierit të ndërtimit. Në atë çast, nga kati i tretë i godinës janë hedhur materiale inerte, të cilat e kanë goditur nxënësin, duke i shkaktuar plagë dhe dëmtime që kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Raportohet se në zonën e punimeve mungonin masat e duhura të sigurisë teknike dhe izolimi i plotë i kantierit, çka ka rritur rrezikun për kalimtarët dhe veçanërisht për nxënësit.
I mituri është transportuar fillimisht në urgjencën e spitalit rajonal të Kukës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe natyrës së dëmtimeve, ai është dërguar më pas me urgjencë drejt Spitali i Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.




