Gazetari Hoxha: 2/3 e të burgosurve janë të pafajshëm…

Jugulajm.net
6 Min Read

Dy në çdo tre persona në burgje janë të pafajshëm. Kështu u shpreh në emisionin “Off the Record” gazetari Artan Hoxha, sipas të cilit ata mbahen në burg pa një vendim të formës së prerë.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, gazetari Hoxha u shpreh se i njëjti shqetësim duhej ngritur edhe për qytetarët e thjeshtë që, sipas tij, janë burgosur për fatura energjie apo parkim të dyfishtë.

“Nëse do të dilte dhe do të kërkonte të një të njëjtën gjë për qytetarët, të cilët i ka çuar në burg që kur ka marrë mandatin e parë, që kur i çoi për energjinë elektrike, e le pastaj për gramin e kanabisit edhe deri në fund për parkim dysh. Pra, sot është e vërtetë që dy në çdo tre të burgosur janë të paraburgosur. Ky është një fakt i pamohueshëm. Problemi që kemi ne është që e kemi çuar të pafajshëm sepse janë të pafajshëm padënuar. Janë pa vendim të gjykatës apelit. Pra janë të pafajshëm. 2/3-at e të burgosurve që kemi ne janë sot të pafajshëm. I kemi rrasur në kokërr të burgut”, tha Hoxha.

Sipas tij, kjo situatë është pasojë e politikave penale të ndjekura ndër vite, duke theksuar se kostoja për mbajtjen e të paraburgosurve rëndon mbi taksapaguesit.

“Kjo është fryma që ti si kryeministër dhe si njeriu që drejton këtë vend për katër mandate ke përçuar te organet e drejtësisë. Qeveria harton politika penale sepse të gjithë të arrestuar sot, të paraburgosur janë kosto e atyre që janë qytetarë të lirë, që mirë që nuk marrin shërbim nga drejtësia,  po paguajnë edhe për qëndrimin e tyre në burg. Ndërkohë ka plot masa të tjera sigurie të përcaktuara nga ligji që ti të mos i çosh një kosto kaq të madhe vendit tënd. Janë minimumi 50 euro dita ata që janë atje dhe kryeministri në vend që të flasë për qytetarët se burgjet i ka me qytetarë të pafajshëm del e flet për administratën. Pra problemi që kemi ne është që e kemi çuar të pafajshëm sepse janë të pafajshëm padënuar” u shpreh Hoxha.

Hoxha përmendi edhe raste konkrete, si ai i një qytetari në Lushnjë që, vrau veten pas burgosjes për një detyrim prej 30 mijë lekësh.

“Sa vetëvrasje e vrasje kanë ndodhur atje brenda. E ka vrarë njeri mendjen? A e kujtoni atë për 30 mijë lekë ai në Lushnjë? Vrau veten. Vrau veten se çfarë të bënte më një prind që s’kishte mundësi më të paguante dritat për 30 mijë lekë, ca sedra, ca halli, ca sikleti ai vrau veten. A mbajti njeri përgjegjësi për atë? S’ pashë unë këtë tipin e shqetësuar. Këtë gjë që bënte sot, po ta kishte bërë para pesë vitesh, para katër vitesh, para gjashtë vitesh, do ta besoja sot thashë ai është njeriu i gabuar, është në kohën e gabuar dhe mënyra e narrativës si e paraqiti ai”, theksoi gazetari Hoxha.

Teksa komentoi deklaratat e sotme të kryeministrit mbi sistemin e drejtësisë, Hoxha tha se Rama fajësoi gjykatat për vendimmarrjen, ndërsa nuk adresoi drejtpërdrejt rolin e SPAK-ut. Sipas tij, vendimet për masat e sigurisë janë vendime gjyqësore dhe përgjegjësia institucionale duhet parë në tërësi.

“Në pamje të parë po të shikosh ai do të heqë pezullimin, po nuk heq dot arrestimin. Kërkon që ata t’i drejtohen kuvendit për arrestim direkt. Sot nuk u mor me SPAK-un, u mor me gjykatat. Fajësoi gjykata për atë që bën SPAK. Sepse dikush i ka dhënë këto kohë që po i bie gabim. Po i bie SPAK-ut kot. Po ato janë vendime gjykatash. Dhe sot ai më në fund tha gjykatat noterizojnë vendimet e SPAK. Po ti je njeriu që bëre reformën. Çfarë ke bërë ti tani? Sot jemi në kohën 10 vjet mbrapa ku më qartë se kurrë të gjitha statistikat na thonë që kemi dështuar me reformën. Nuk fshihemi dot dhe të gjitha shifrat që përmendi vetë kryeministri sot dhe duhet të dalë ai i pari të thotë që kemi dështuar, e kemi bërë gabim dhe dështimi e di ku ka qenë? Jo thjesht te qytetarët e pafajshëm sot brenda, se postulati në drejtësi është më mirë 99 të fajshëm jashtë, sesa një i pafajshëm brenda. Ndërkohë ne kemi 2/3 e të burgosurve i kemi të pafajshëm”, vijoi gazetari Hoxha.

Share This Article