Gjatë thirrjes së çështjes në apel u bë e ditur se përfaqësuesi ligjor i paditëses kishte paraqitur kërkesë për shtyrjen e seancës për arsye shëndetësore.
Në seancë u konstatua gjithashtu mungesa e përfaqësuesve të Agjencia Kombëtare e Informacionit, si dhe e Kryeministrisë. Ndërkohë, dy avokatë të pranishëm deklaruan se interesat e institucioneve shtetërore përfaqësohen nga Avokatura e Shtetit.
Juristët e Avokaturës kërkuan që seanca të vijonte pa shtyrje, duke argumentuar se bëhej fjalë për një çështje urgjente.
Megjithatë, gjyqtari Armand Shkurta theksoi se urgjenca i përket palës paditëse dhe jo të paditurës, duke vendosur shtyrjen e seancës.
Gjykata caktoi datën 23 shkurt, ora 14:00, për zhvillimin e seancës së radhës.
Padia lidhet me vendimin e marrë më 11 shtator 2025, kur asistentes virtuale të platformës e-Albania iu atribua një rol simbolik si ministre e parë e krijuar me Inteligjencë Artificiale. Aktorja Anila Bisha pretendon se imazhi i saj, i përdorur për ndërtimin e avatarit, është shfrytëzuar pa miratimin e saj për këtë funksion publik.
Me këtë argument, ajo i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke kërkuar pezullimin e vendimit deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit ligjor.




