Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Athinë, ku tre adoleshentë janë përplasur me automjetin e tyre në një pemë, duke shkaktuar një viktimë dhe dy të plagosur.
Ngjarja u regjistrua në rrugën “Dhimgokratias”, në zonën Luca, në periferi të kryeqytetit grek. Sipas mediave greke, drejtuesi i mitur dyshohet se humbi kontrollin e mjetit, i cili doli nga rruga dhe u përplas me forcë me një pemë në anë të saj.
Si pasojë e përplasjes fatale, 16-vjeçari shqiptar Eljon Metaj humbi jetën në vendngjarje. Dy të miturit e tjerë u transportuan me urgjencë në spital, ku ndodhen në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Burime paraprake bëjnë me dije se njëri prej adoleshentëve kishte marrë çelësat e makinës nga çanta e nënës dhe më pas kishte dalë për xhiro me shokët. Dyshohet se automjeti po lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara në momentin e aksidentit.
Autoritetet greke kanë ndaluar drejtuesin e mjetit, i cili po merr trajtim mjekësor, si dhe prindërit e tij, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morg për veprimet e mëtejshme. Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit vijojnë nga policia rrugore e Drejtorisë së Policisë së Athinës.
“Ambulancat erdhën menjëherë. Njëri nga fëmijët doli nga makina. Dëgjuam një zhurmë të fortë, por nuk e kuptuam çfarë kishte ndodhur”, rrëfeu një dëshmitar nga zona.




