Kanë mbërritur në fshatin Gryksh trupat e pajetë të katër anëtarëve të familjes Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht në Itali si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 4 shkurt, ku humbën jetën Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida Kola, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar dhe Xhesika, 22 dhe 15 vjeç. Trupat e pajetë iu nënshtruan analizave toksikologjike në Itali për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
Banorët e fshatit dhe të afërmit e familjes janë shprehur thellësisht të pikëlluar për këtë tragjedi. Para kamerave, ata shprehen se familja Kola ishin njerëz të mirë, punëtorë dhe të respektuar.
“Fshati Gryksh është në zi prej 7 ditësh. U shua një familje. Ishin njerëz të mirë, punëtorë. Kryefamiljari ka emigruar që kur ka qenë 14-vjeç”, shprehet një banor.
“Ishin familje e mrekullueshme. Hera e fundit që i kam takuar ka qenë para një viti. E kemi përjetuar shumë keq, është hataja më e madhe. Zoti u dhëntë jetë të afërmëve të tyre”, thotë një tjetër.
Ceremonia mortore e familjes Kola do të mbahet mesditën e sotme, në orën 13:00, në fshatin e tyre të lindjes.




