Policia e Vlorës identifikoi dhe shpalli në kërkim një nga personat që dhunuan avokatin Kujtim Cakrani një ditë më parë në qytetin e Vlorës.
Përmes një njoftimi për mediat policia tha se lidhur me ngjarjen e ndodhur në rrugën Transballkanike, ku mbeti i dëmtuar shtetasi Kujtim Cakrani, me profesion avokat, bëjmë me dije se nga puna intensive e kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë i mundur identifikimi i njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit S. Xh., 40 vjeç, banues në Vlorë, i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
“Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit S. Xh. Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Shtetasi K. C. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, bëri me dije policia.




