Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se të rinjtë dhe fëmijët janë grupi më i ekspozuar ndaj rrezikut të drogës, duke theksuar nevojën për rritjen e sigurisë brenda dhe përreth shkollave.
Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se është detyrim i Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe i të gjithë aktorëve të tjerë institucionalë të forcojnë masat për mbrojtjen e fëmijëve nga shpërndarja e lëndëve narkotike, të cilat sot përfshijnë jo vetëm drogat tradicionale, por edhe substanca të reja të shpallura të paligjshme me ligj.
Sipas Ballës, në një linjë me qëndrimet e Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, rrjetet sociale përbëjnë një nga kërcënimet më serioze për rininë, pasi po përdoren si kanale për shpërndarjen e drogës dhe krijimin e rrjeteve kriminale që synojnë të miturit.
“Do ta votoja me shumë kënaqësi një vendim për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një praktikë që po ndiqet nga vende që marrin përgjegjësi si Franca, Spanja dhe Australia”, u shpreh Balla, duke theksuar se një vendim i tillë duhet të merret përmes një konsultimi të gjerë publik.
Ai theksoi se fëmijët nuk kanë asgjë për të humbur nga kufizimi i aksesit në rrjetet sociale, pasi një masë e tillë do t’i mbronte nga përmbajtje vulgare, kriminale dhe të rrezikshme që u shfaqen vazhdimisht.
Balla shtoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa konkretë duke kërkuar nga kompanitë që operojnë rrjetet sociale, përfshirë Meta dhe TikTok, të rrisin monitorimin e përmbajtjeve në gjuhën shqipe, me synim mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga kërcënimet që vijnë nga hapësira digjitale.




