Policia këtë të martë ka vënë në pranga një 52-vjeçar, i dyshuar se i ka vjedhur me dhunë çantën me një shumë parash një 66-vjeçareje. Në kuadër të operacionit të koduar ‘Identifikimi’, u arrestua shtetasi G. F., 52 vjeç, banues në Elbasan.
Sipas raportimeve nga policia, 52-vjeçari ditën e djeshme, rreth orës 09:00, në lagjen “Visarion Xhuvani”, në rrugë, i ka vjedhur me dhunë shtetases F. S., 66 vjeçe, çantën e dorës, në të cilën ajo kishte një shumë parash, celularin dhe disa dokumente. Si pasojë, 66-vjeçarja është dëmtuar lehtë në krah.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, dje, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Visarion Xhuvani”, një shtetaseje i kishin vjedhur me dhunë çantën e dorës, kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, u gjet çanta e vjedhur, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se mund të ketë kryer shtetasi G. F..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, , thuhet në njoftimin e policisë.




