SHKBB zbulon skemën dhe arreston 3 persona, mes tyre edhe 1 polic

Jugulajm.net
1 Min Read

Tre persona janë vënë në pranga pas një hetimi të thelluar ku zbuluan metodat e futjes së lëndëve narkotike në burgun e Elbasanit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, SHKBB njofton se mes të arrestuarve janë një punonjës policie i burgut, një i paraburgosur dhe i afërmi i tij.

Nga hetimet u zbulua skema e futjes së drogës në burg ndërsa palët e përfshira kishin përfitime financiare.

”Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB), pas një hetimi të thelluar disa-mujor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka finalizuar me sukses një operacion kundër veprimtarisë kriminale në IEVP Elbasan.

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit datë 22.01.2026, bazuar në vendimin nr. 784, datë 19.12.2025, u ekzekutua masa “Arrest me burg” ndaj tre personave nën hetim: N.K., punonjës policie në IEVP Elbasan; E.K., familjare e një të paraburgosuri dhe G.S., i paraburgosur në IEVP Elbasan

Hetimi, i zhvilluar me metoda speciale, zbuloi një skemë bashkëpunimi për futjen e lëndëve narkotike në institucion me qëllim përfitimin financiar. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Share This Article