Paaftësia si pushtet dhe kancer që vret shoqërinë

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Ekziston një shtresë , e cila për fat të keq nuk është e vogël, në shoqërinë tonë që nuk prodhon vlerë, nuk krijon dije, nuk ndërton institucione, por ka një “aftësi” të jashtëzakonshme: aftësinë për të shkatërruar të aftin.
Kjo shtresë është kanceri i shoqërisë sonë, i cili jo pak nga pak por me shpejtësinë e dritës po shkatërron Vendin.
I paafti nuk ngjitet sepse është i zoti. Ai ngjitet sepse di të kapë postin, të neutralizojë profesionistin, të zhdukë akademikun dhe të zëvendësojë cilësinë me mediokritet. Ai nuk konkurron, ai eliminon. Ai nuk përballet, ai intrigon. Ai nuk ndërton, ai uzurpon.
Kjo shtresë ka një instinkt të frikshëm: kap çdo karrige, çdo zyrë, çdo institucion, dhe aty ku hyn, gjëja e parë që bën është, jo vetëm që të respektoj dhe të pyes, por të largojë të aftin. Sepse i afti është rrezik. Dija është kërcënim. Profesionalizmi është armik.
Kështu, i paafti jo vetëm që i zë vendin profesionistit, por ia shkatërron edhe dinjitetin. E ul, e përbalt, e diskrediton, derisa ta detyrojë të largohet vetë. Dhe kjo është vrasja më e pastër morale që mund t’i bëhet një shoqërie.
Sot kjo shtresë nuk është më në hije. Është në kryesisht në krye të institucioneve shtetërore, pse jo dhe private. I paafti drejton sektorë që nuk i kupton, merr vendime për fusha ku nuk ka as formim, as përvojë, as përgjegjësi. I paafti sot i jep mend akademikut, i shpjegon ligjin juristit dhe ekonominë ekonomistit.
Dikur nuk e kuptoja paralajmërimin e profesorëve të mi:
“Mos ki frikë nga ai që di më shumë se ti; ki frikë nga ai që nuk di asgjë, por ka pushtet mbi ty.”
Sot kjo nuk është më këshillë, por është një realitet brutal.
Paaftësia sot nuk është thjesht e toleruar. Ajo është shpërblyer, promovuar dhe mbrojtur. Dhe më tragjikja: po i besohet pushtet edhe nga ata që duhet të jenë mbrojtës të ligjit, të interesit publik dhe të demokracisë. Kur ligjvënia dhe përfaqësimi bien në duart e mediokritetit, atëherë shteti shndërrohet në karikaturë.
Sot janë zhvlerësuar dija, formimi, përkushtimi dhe puna. Sot të vjen turp të kesh titull akademik, sikur të kesh mësuar të ishte faj. Ndërsa injoranca shitet si “zgjuarsi”, servilizmi si “aftësi” dhe paaftësia si “menaxhim”.
Unë nuk ndihem keq pse nuk jam i pasur. Nuk ndihem keq pse nuk kam poste apo privilegje. Ndihem keq sepse kam sakrifikuar për të mësuar, për t’u formuar, për të qenë profesionist dhe sot kjo duket si gabim në një shoqëri që e ndëshkon dijen dhe e shpërblen mosdijen.
Por problemi nuk jam unë. As mijëra të tjerë si unë.
Problemi është vendi.
Një vend që prej më shumë se tridhjetë vitesh jo vetëm që nuk ecën përpara, por po shkon pas. Një vend ku cilësia në drejtim, art, administrim dhe mendim publik ka rënë në nivele alarmante. Një vend ku sot është e vështirë të krahasosh drejtuesit aktualë jo me idealen, por thjesht me ata të djeshëm.
Kur paaftësia sundon, shoqëria nuk stagnon ajo kalbet.
Dhe kur kanceri bëhet sistem, shpresa bëhet viktima e radhës.
Tiranë më 16.01.2026.

Share This Article