Zbardhja e vrasjes së 67-vjeçarit, reagon Proda: Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale

Jugulajm.net
2 Min Read

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor, Ilir Proda, ka reaguar pas zbardhjes së vrasjes së 67-vjeçarit, Hysni Ymeri, më 29 dhjetor në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër. Proda ka përgëzuar strukturat hetimore të policisë Shkodër për zbardhjen e ngjarjes dhe për bashkëpunimin dhe koordinimin mjaft efikas me Prokurorinë e Shkodrës.

Ai theksoi se zbardhja e kësaj ngjarje dekurajon veprimtarinë kriminale dhe forcon më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

“Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distancë.

Ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës.

Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila do të vijojë të jetë e vendosur në misionin e saj për garantimin e rendit, sigurisë, jetës, dhe pronës së qytetarëve.”, deklaroi Proda.

Katër persona u arrestuan nga policia pasi dyshohet se janë paguar për të vendosur lëndën eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), dhe kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte 67-vjeçari.

Share This Article