Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kanë 1.999.024 qytetarë. Procesi i votimit zhvillohet në 910 qendra me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Zgjedhjet monitorohen nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe vëzhgues ndërkombëtarë, ndërsa rezultatet e para priten para orës 20:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi gjithsej 24 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në mesin e tyre janë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Në garë për ulëse në Kuvendin e Kosovës janë 1.146 kandidatë për deputetë, të certifikuar nga KQZ-ja nga të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, ndërsa 61 mandate janë të nevojshme për të siguruar shumicën parlamentare dhe formimin e Qeverisë.
Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare që mbahen brenda një viti në Kosovë, pas dështimit për të formuar Qeverinë e re nga zgjedhjet e shkurtit.
Asnjëra nga partitë nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme për ekzekutivin e ri. Për shkak të ngërçit politik dhe pamundësisë për marrëveshje, Kuvendi u shpërnda dhe u shpallën zgjedhje të parakohshme. Procesi synon t’i japë vendit institucione funksionale dhe një Qeveri të re me mandat të plotë. /REL




