Dita e sotme ka shënuar radhë të gjata pritjeje në pikën kufitare të Kakavijës, në hyrje drejt Greqisë.
Fluksi i shtuar i qytetarëve që udhëtojnë për fundjavë ka krijuar vonesa në procedurat e kalimit, duke sjellë pritje të zgjatura për udhëtarët.
Nga pala shqiptare dhe ajo greke po punohet me 3 sportele operative, me qëllim menaxhimin e situatës dhe shmangien e pritjeve të gjata për qytetarët që kalojnë kufirin.
Sipas të dhënave zyrtare të Shërbimeve të Policisë Kufitare Kakavijë, më 27 nëntor 2025 u përpunuan 4.320 shtetas në hyrje dhe dalje, nga të cilët 1.824 ishin në hyrje dhe 2.496 në dalje.
Në të njëjtën ditë, u regjistruan gjithashtu 1.669 mjete në hyrje dhe dalje, përkatësisht 741 në hyrje dhe 928 në dalje.
Autoritetet kufitare po vijojnë monitorimin dhe menaxhimin e fluksit, ndërkohë që udhëtarët këshillohen të planifikojnë kohën e udhëtimit dhe të kenë durim gjatë pritjes.




