Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka njoftuar se ka nisur procedurat për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. KLP tha se më 11 dhjetor të vitit 2025, në orën 09:00 do të zhvillohen intervistat me kandidatët. Pas kryerjes së intervistave me kandidatët, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vijojë me procesin e zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK.
Katër kandidatët në garë janë Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gogaj. Të gjithë këto kandidatë janë pjesë e strukturës aktuale të SPAK-ut. Ata pritet të kalojnë në fazën e intervistimeve publike, një proces i cili do të përfshijë vlerësimin e karrierës së tyre, integritetit, aftësive drejtuese dhe vizionit për të ardhmen e institucionit. Kreu aktual i SPAK, Altin Dumani do të largohet nga detyra më 18 dhjetor.
Por cili është pozicioni aktual i katër kandidatëve për drejtimin e SPAK ?
Adnan Xholi – Prokuror pranë SPAK, shef i Seksionit të Krimit të Organizuar. I emëruar për herë të parë në vitin 2004, ka një eksperiencë të gjatë në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Klodian Braho – Prokuror pranë SPAK që nga themelimi i tij, aktualisht shef i Seksionit kundër Korrupsionit. I emëruar prokuror në vitin 2007, ka një përvojë të konsiderueshme në këtë fushë.
Elvin Gokaj – Prokuror me përvojë të gjatë, pjesë e SPAK që nga dhjetori i vitit 2000. Ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Doloreza Musabelliu – Prokurore pranë SPAK që nga tetori i vitit 2004, ka luajtur rol të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme dhe ka marrë pjesë në hetimin e dosjes së njohur “Plumbi i Artë”.




