Pezullohen 2 kontrollorë policie të pikës kufitare, lejuan kalimin e kamionit me plot 132 kg drogë

Jugulajm.net
2 Min Read

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar vendimin e gjykatës për dy punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasit B.Q., me detyrë kontrollor dhe E.K., me detyrë kontrollor në vijën e dytë në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas hetimeve të thelluara me metoda speciale, në lidhje me ngjarjen e datës 5 shtator 2025, ku një kamion me targa të Bosnjë- Hercegovinës pasi ka kryer procedurat e daljes nga Shqipëria është ndaluar nga policia malazeze.

Pas kontrollit të ushtruar në kamion janë gjetur 114 pako PVC, me përmbajtje të një lënde bimore të ngjashme me lëndën narkotike marihuanë, me peshë bruto 131,7kg.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale po vijojnë.

Ndërkohë, AMP siguron se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave të Policisë.

Share This Article