Pas një operacioni të gjerë kërkimi që zgjati rreth 5 orë, ku u përdor edhe droni, Policia e Vlorës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes që ndodhi mbrëmjen e djeshme, 1 nëntor, në fshatin Gjorm të Selenicës.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së autorit, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, 32-vjeçari B.A., dyshohet se vrau me armë zjarri kushëririn e tij, D. A., 36 vjeç, banues në Fier.
Më poshtë, pamjet nga arrestimi:
Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së informacionit nga familjarët se viktima ishte gjetur pa shenja jete, Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, ngriti një grup hetimor të përbërë nga specialistë të Hetimit të Krimeve ndaj Personit dhe ekspertë kriminalistikë, të cilët punuan për zbardhjen e ngjarjes.
Autori i dyshuar u kap rreth orës 01:05 të mëngjesit, në zonën malore përreth fshatit Gjorm, ku ishte fshehur pas krimit. Gjatë kontrollit fizik të tij, policia i sekuestroi një armë zjarri pistoletë “Beretta FS92”, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë, të dyshuar si arma e përdorur në krim.
Në vendin e ngjarjes u gjetën gjithashtu 6 gëzhoja dhe një predhë arme zjarri, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Hetimet zbuluan se B.A., ishte person në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 35 vite burg me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, datë 20.01.2016, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.




