Teksa naftëtarët e Marinzës kanë hyrë në ditën e dhjetë të grevës së urisë dhjetëra qytetarë u mblodhën këtë të premte para Ministrisë se infrastrukturës dhe Energjisë, Tiranë.
Me pankarta në duar si ‘Uria e tyre është turpi i një shteti të pasur me naftë të varfër me drejtësi’, qytetarët me këtë protestë kërkojnë reagim nga institucionet për ndërmjetësim për shkak të përkeqësimit te gjendjes shëndetësore te naftëtarëve.
Nga ana tjetër ata kërkojnë që punonjësit të kenë kushtet minimale në punë dhe një pagë dinjitoze.
Një ditë më parë tre grevistë shfaqën probleme me luhatje të tensionit, ku njëri prej tyre në gjendje më të rënduar u transportua drejt Spitalit Rajonal Fier, për ndihmë të specializuar.
Në grevën e nisur që prej 15 tetorit dhe e organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, naftëtarët e Marinzës kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës. Naftëtarët tregojnë se paga mesatare është 60 mijë lekë, ndërsa kërkojnë të shkojë deri në 100 mijë lekë në muaj.




