”Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë” reagon ndaj kërcënimit të gazetarit nga djali i shefit të Krimeve në Përmet

Jugulajm.net
2 Min Read

Gazetari i Report TV në qytetin e Gjirokastrës, Piro Nase eshte kërcënuar permes telefonit nga familjarët e Dhurim Çenkos, shefit të Krimeve në Përmet, pas raportimit se ai ishte pezulluar nga detyra për shkak se kishte pasur dijeni për abuzimin seksual të 16-vjeçares nga Këlcyra nga njerku polic dhe kolegu i tij dhe nuk kishte marrë masa.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të organeve ligjzbatuese dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i tronditur nga kërcënimet ndaj kolegut tonë të Report TV Piro Nase. AGSH është vënë në dijeni të një kërcënimi me jetë ndaj gazetarit Piro Nase nga familjarët e shefit të Krimeve në Përmet i pezulluar pas raportimeve se ishte në dijeni të një abuzimi seksual me të mitur. Menjëherë pas lajmit të raportuar nga Nase, ai ka marrë telefonata kërcënuese nga familjarët e efektivit për të cilat AGSH është vënë në dijeni dhe ka mundur të shohë e dëgjojë provat e kërcënimit. Ne kërkojmë me urgjencë që strukturat e policisë dhe Prokuroria e Gjirokastrës të nisin menjëherë hetimet dhe të vendosin përgjegjësisë autorët e kërcënimeve. Ne i qëndrojmë në krahë kolegut Nase dhe e inkurajojmë atë të vijojë shërbimin ndaj qytetarëve me korrektësi dhe guxim.”, thuhet në reagim.

Share This Article