Gazetari i Report TV në qytetin e Gjirokastrës, Piro Nase, ka marrë telefonata kërcënuese nga familjarët e Dhurim Çenkos, shefit të Krimeve në Përmet, pas raportimit se ai ishte pezulluar nga detyra për shkak se kishte pasur dijeni për abuzimin seksual të 16-vjeçares nga Këlcyra nga njerku polic dhe kolegu i tij dhe nuk kishte marrë masa.
Sakaq, gazetari i Report TV ka depozituar kallëzim penal në Komisariatin e Gjirokastrës. Report TV raportoi se Çenko ishte pezulluar nga detyra për shkelje të rëndë disiplinore dhe se kishte nisur një hetim disiplinor për të, pasi kishte dijeni për abuzimin e së miturës nga njerku polic dhe kolegu i tij, por nuk mori asnjë masë.
Report TV dhe Shqiptarja.com sqaron se informacioni i raportuar nga gazetari Nase bazohet në një kërkesë për informacion, ku Drejtoria Vendore e Policisë së Gjirokastrës bëri të ditur se Dhurim Çenko ishte në dijeni të abuzimit ndaj 16-vjeçares dhe nuk kishte marrë asnjë masë. Për këtë arsye, Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetim disiplinor. Çenko është pezulluar nga detyra.




