Policia ka shoqëruar mbi 10 persona lidhur me ngjarjen e rëndë në lagjen nr.2 të qytetit të Durrësit, mbrëmjen e së mërkurës (24 Shkurt), ku Valbon alias Marko Beqiraj u masakrua me thikë.
Mes të shoqëruarve dyshohet se është edhe autori i vrasjes, i cili sipas burimeve nuk është familjar i viktimës.
Dyshohet se krimi nuk është kryer për motive familjare, ndërsa mes autorit dhe 51-vjeçarit ka pasur një debat para se të ndodhte krimi.
Në banesën në katin e katërt të pallatit, policia ka mbledhur gjurmët e gishtërinjve, ndërsa janë analizuar edhe kamerat e sigurisë për të shkuar drejt autorit.
Viktima jetonte në banesë me bashkëshorten dhe djalin e tij, ndërsa punonte si kamarier në qytetin e Durrësit. Gruaja e viktimës përgjatë ditës së djeshme i ka rënë disa herë telefonit të 51-vjeçarit, por nuk iu është përgjigjur.
Më pas, ka qenë nipi i Valbon alias Marko Beqiraj i cili ka shkuar në apartament dhe e ka gjetur të pajetë rreth orës 19:30.
“Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës.
Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në banesë, është gjetur pa shenja jete shtetasi V. B., alias M. B., rreth 51 vjeç.
Nga ekspertiza paraprake mjekoligjore e kryer nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka rezultuar se në trupin e 51-vjeçarit kishte shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjet prerës (thikë), si pasojë e të cilave dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën.
Përgjatë natës dhe aktualisht, grupi i posaçëm hetimor ka kryer dhe është duke kryer një sërë veprimesh të thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Në përfundim të veprimeve, do të ketë një njoftim të plotë dhe të detajuar në lidhje me këtë ngjarje”, informoi policia.




