Rregjistrimet në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, po ecin me ritme të kënaqshme dhe interesi i maturantëve për të studuar në programin fillestar 3 vjeçar ka njohur rritje në raport me vitin e kaluar.
Rektrori i këtij universiteti Jaho Canaj, për Jugulajm.net ka vënë në dukje cilësinë e programeve të studimit në këtë universitet e sidomos tek degët, që vitet e fundit kanë qenë të braktisura.
Dega e Ciklit të Ulët dhe Parashkollorit, në vitet e fundit kanë qenë larg interesit të maturantëve apo dhe individëve të tjerë që kërkojnë një diplomë të dytë. Nisur nga përvoja dhe tradita dhjetëra vjeçare e këtyre degëve dhe cilësia që ka reflektuar, ka nxitur rektorin Jaho, që të ftojë aplikantët që t’i bashkohen këtyre degëve pasi janë me interes të lartë, jo vetëm për krijimin e një baze të shëndoshë me mësues cilësorë, por dhe në aspektin financiar, pasi qeveria shqiptare për çdo student ka politika stimuluese financiare që shkojnë deri në 40 mijë lek në muaj në formën e rrogës përgjatë tre viteve të studimit.
Për rektorin e Universitetit të Gjirokastrës, këtë vit ky universitet do të çelë dhe programin e doktoraturës në partneritet me një universitet perëndimor.
Universiteti i Gjirokastrës me një histori 55 vjeçare, ka njohur rënie drastike të frekuencës së studentëve në 10 vitet e fundit, ndërsa në raport me vitet ’90 apo 2000, numri i studentëve është pakësuar në më shumë se 20 herë. Kjo spegohet me çeljen e universiteteve private apo dhe publike në jug të vendit sikurse në Sarandë, Fier, Vlorë.



