EMRAT/ Domate me pesticide, arrestohet pronari i kompanisë dhe 2 inspektorë të AKU-së

Jugulajm.net
2 Min Read

Tre persona janë arrestuar pas bllokimit të 8 ton domateve me pesticide nga ana e autoriteteve kroate, të eksportuara nga Shqipëria nga subjekti “Era-Fruit”.

Analizat treguan se domatet kishin nivel të preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.

Sipas prokurorisë, shtetasi Mariglen Qorri, pronar i subjektit “Era fruit”, ka prerë një faturë blerje fiktive nga një fermer dhe këtë faturë e ka përdorur për praktikat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të mbajtur nga AKU Berat, duke u munduar të shmangë përgjegjësinë ligjore për produktin që ka prodhuar dhe tregtuar.

Kjo sasi domatesh me pesticide është prodhuar dhe më pas eksportuar nga vetë shtetasi Mariglen Qorri.

Nga veprimet hetimore rezulton se inspektorët e AKU Berat, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani pas njoftimit nga sistemi Rasff kanë kryer inspektim me datë 29.08.2025 në subjektin “Era Fruit” dhe gjatë këtij inspektimi nuk kanë konstatuar sasinë e domateve të gjendur në magazinën e subjektit duke plotësuar praktiken sikur në magazinë nuk kishte asnjë sasi domate.

Ata dyshohen se nuk kanë bërë bllokimin dhe marrjen e mostrave për kryerjen e analizave për këtë produkt. Këta inspekto dyshohen se kanë marrë të mirëqenë si të rregullt faturën fiktive të prerë nga shtetasi Mariglen Qorri, të pa firmosur nga fermeri/shitësi duke mbajtur mbi bazën e tij raportin e gjurmueshmërisë së produktit dhe duke tjetërsuar kështu faktet në lidhje me origjinën e produktit të konstatuar me probleme.

Gjithashtu u sekuestruan dhe u morën mostra për analiza të produkteve të ndryshme si domate, speca dhe kastraveca të konstatuara ne subjektin “Era Fruit”, produkte këto të dyshuara të kontaminuara.

Share This Article